Sunday, March 6, 2011

Muharrem Bajraktari

Muharrem Bajraktari

Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Muharrem Bajraktari lindi në vitin 1894 në fshatin Ujmisht të Kukësit. Ishte i biri i Nezir dhe Kadime Bajraktarit. Në vitin 1902 regjistrohet në shkollën fillore të Kolesjanit të cilën e mbaron me sukses. Mbaroi gjithashtu me sukses Akademinë Ushtarake të Vjenës. Ishte Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Shqiptare gjatë periudhës së qeverisjes së Zogut dhe udhëheqës i Rezistencës Antifashiste të popullit shqiptar.

Tabela e përmbajtjeve

 [fshih]
·                                 1 Muharrem Bajraktari gjatë Luftës së Parë Botërore
·                                 2 Muharrem Bajraktari gjatë viteve 1920-1924
·                                 3 Muharrem Bajraktari gjatë viteve 1925-1934
o                                        3.1 Muharrem Bajraktari Komandant i Zonës Ushtarake Veriore, 1925-1927
o                                        3.2 Muharrem Bajraktari, Komandant i Xhandarmërisë Shqiptare, 1927-1932
o                                        3.3 Muharrem Bajraktari, Adjutant i Mbretit Zog, 1932-1934
·                                 4 Revolta e zonës veriore e udhëhequr nga Muharrem Bajraktari
·                                 5 Muharrem Bajraktari gjatë viteve 1935-1939
·                                 6 Muharrem Bajraktari gjatë Luftës së Dytë Botërore
o                                        6.1 Muharrem Bajraktari kundër Italisë Fashiste 1940-1943
o                                        6.2 Muharrem Bajraktari kundër Gjermanisë Naziste 1943-1944
·                                 7 Muharrem Bajraktari kundër Partisë Komuniste Shqiptare 1944-1946
·                                 8 Jeta ne mergim dhe vdekja e tij
·                                 9 Çfarë kanë shkruar dhe çfarë kanë thënë të tjerët për të
·                                 10 Nderimet që i janë bërë
·                                 11 Familja
·                                 12 Referenca

 

Muharrem Bajraktari gjatë Luftës së Parë Botërore

Lufta e Parë Botërore nisi më 28 Korrik të vitit 1914. Pikërisht në këtë vit Muharrem Bajraktari mobilizohet për të kryer shërbimin ushtarak nga forcat austro-hungareze që kishin pushtuar në atë kohë afro 60 % të territoreve shqiptare. Arti ushtarak e tërhoqi shumë Muharremin. Ai u dallua si një ushtar shembullor dhe brenda vitit gradohet me gradën rreshter. Ende pa kryer mirë shërbimin ushtarak ai dërgohet në Vjenë.
Qamil Hoxha, në kujtimet e tij, shkruan: "Gjatë viteve 1917-1918 qe hapë në Bicaj (në xhaminë e Osmanaj) nji kurs për të mësue gjermanisht. Në të vazhduan mësimet kryesisht xhandarët e komandës (rrethkomandës). Kursin e kanë vazhdue këto burra (renditja e nxënësve është sipas radhës që ka vënë autori dmth Qamil Hoxha):
§                     1) Muharrem Bajraktari-Ujmisht-shkoi pastaj në Austri
§                     2) Avdi Beqiri-Bardhoc-shkoi pastaj në Austri
§                     3) Dullë Elmazi-Mustafaj
§                     4) Ajet Xhema-Mustafaj
§                     5) Xhafer Alia-Nange
etj. gjithsej 70 vetë.
§                     Më pas Muharrem Bajraktari dhe Avdi Beqiri kanë shkuar në Vjenë."
Në vitin 1918, Muharremi mbaron me sukses Akademinë Ushtarake të Vjenës dhe gradohet me gradën nëntoger i këmbësorisë.Studimet e larta, në një prej akademive më në zë të kohës, sic ishte ajo e Vjenës, e përgatitën Muharremin dhe i dhanë atij mundesi të luajë një rol të rëndësishëm në organizimin e shtetit shqiptar të porsalindur.

 

Muharrem Bajraktari gjatë viteve 1920-1924

§                     1921: Në vitin 1921, Qeveria e Tiranës, e dalë nga Kongresi i Lushnjes, e gradoi Muharremin me gradën toger, dhe e emëroi zv. komandant e më vonë Komandant të Xhandarmërisë të Prefekturës së Kosovës (me qendër në Krumë). Këtë detyrë ai e vazhdoi deri në vitin 1924.Në zgjedhjet e vitit 1921, të parat në historinë e vendit, Ahmet Zogu propozoi edhe emrin e Muharrem Bajraktarit si kandidat për deputet. Por Muharremi, në ato vite ende një djalë i ri, me sa duket nuk pranoi dhe vazhdoi karrierën ushtarake duke qenë gjithmonë përkrah Zogut dhe Partisë Përparimtare ku ai bënte pjesë. Deputet i parë i Lumës u bë Mustafë Lita, nga fisi i njohur i Litajve.
§                     1923: Në trazirat e vitit 1923, Muharremi qëndroi i palëkundur në detyrën e tij. Në mars të vitit 1922 kishte dështuar një tentativë për të rrëzuar me grusht shteti qeverinë e Xhaferr Ypit i cili më pas dha dorëheqjen dhe i la vendin Ahmet Zogut. Në janar të vitit 1923,një grup banditësh të udhëhequr nga Bajram Curri sulmojnë Krumën. Muharrem Bajraktari, në atë kohë Komandant i Xhandarmërisë së Kosovës (Sot Qarku i Kukësit), rezistoi në menyrë të admirueshme përballë Bajram Currit,i dalluar për luftërat e tij si ndaj pushtuesve ashtu edhe ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Ai gjithashtu udhëhoqi operacionin e forcave të Xhandarmërisë së Prefekturës për rivendosjen dhe mbrojtjen e rendit kushtetues që kërcënohej nga Bajram Curri dhe banditët e tij.
§                     1924: Në maj 1924 pikërisht nga Kruma (asokohe qendër e Prefekturës së Kosovës nisi i ashtuquajturi "Revolucioni Demokratiko-Borgjez i Qershorit" që nuk ishte gjë tjetër veçse një grusht shteti ushtarak ndaj qeverisë legjitime të Shefqet Verlacit. Muharrem Bajraktari i kapur në befasi pas një përpjekjeje disa orëshe,dhe gjithashtu me urdhër të Zogut u terhoq. Ahmet Zogu, siç tregojnë gjithë dokumentat seriozë,nuk dëshironte një gjakderdhje të kotë. Mesa duket ai e kishte parashikuar dështimin e qeverisë së "revolucionit" prandaj dhe u tërhoq. Me 12 qershor, Zogu u largua në Jugosllavi, duke lënë 4 shokë të tij në Shqipëri për të organizuar rezistencën. Njëri prej tyre ishte edhe Muharrem Bajraktari. Dështimi total i Nolit dhe anarkia në të cilën u zhyt vendi i dhanë mundësi Zogut të hynte në Shqipëri dhe me 24 dhjetor 1924 ai hyri në Tiranë. Këtu mori fund edhe qeveria puçiste e Nolit dhe filloi një epokë e re për vendin, Periudha e Zogut. Këtu merr fund edhe kjo etapë e rëndësishme e karrierës së Muharrem Bajraktarit.

 

Muharrem Bajraktari gjatë viteve 1925-1934

Gjatë kësaj periudhe Muharrem Bajraktari kontribuoi shumë në vendosjen e rendit dhe qetësisë në vend. Me ndihmën e tij, Shqipëria e trazuar u kthye në një vend të stabilizuar. Nuk është çudi që menjëherë sapo ai u largua nga vendi ndodhën disa revolta, protesta dhe greva antiqeveritare.

 

Muharrem Bajraktari Komandant i Zonës Ushtarake Veriore, 1925-1927

Pas dështimit të grushtit të shtetit të qershorit 1924, Ahmet Zogu u rikthye në pushtet. Qeveria e re e ndau vendin në 4 zona ushtarake.Muharrem Bajraktari,në atë kohë Komandant i Xhandarmërisë së Prefekturës së Kosovës, u rrit në detyrë si Komandant i Zonës Veriore me qendër në Peshkopi. Në drejtimin e këtij institucioni, Muharrem Bajraktari eleminoi në mënyrë efektive të gjitha bandat e armatosura që trazonin jetën e banorëve të kësaj zone.
Një pjesë e këtyre bandave ishin mbeturinat e regjimit të Nolit, disa të tjera futeshin në Shqipëri me udhëzime nga Jugosllavia, kurse të tjerat ishin banda kriminale që terrorizonin banorët e zonave veriore. Keshtu, Muharrem Bajraktari i eleminoi të gjitha këto banda. Është i famshëm eleminimi i bandave të krahinës së Dukagjinit në Shkodër dhe eleminimi i bandave të Tropojës të udhëhequra nga Bajram Curri. Por Muharremi vazhdonte luftën e tij kundër të gjithë armiqve të shtetit dhe të popullit shqiptar. Viti 1925, pra doli si viti i eleminimit të bandave të armatosura. Viti 1926 qe një vit i qetë derisa në Dukagjin të Shkodrës një klerik i quajtur dom Loro Caka në nëntor ngriti popullsinë e zonës në kryengritje. Megjithëse u shtyp shpejt me ndihmen edhe të forcave të Muharrem Bajraktarit, kjo kryengritje la gjurmë të thella, pasi tregoi se agjentura serbe ende vepronte fuqishëm në Shqipëri.

 

Muharrem Bajraktari, Komandant i Xhandarmërisë Shqiptare, 1927-1932

Kështu Ahmet Zogu duke i parë arritjet e Muharremit dhe zotësinë e tij si drejtues ushtarak e ngre atë në detyrën e lartë të Komandantit të Përgjithshëm të Xhandarmërisë, në fillim me gradën n/kolonel e pastaj kolonel. Duke qenë në krye të këtij dikasteri dhe duke patur pranë vetes si këshilltar gjeneralin anglez Percy, ai luajti një rol me rëndësi në drejtimin, organizimin dhe perfeksionimin e Xhandarmërisë Shqiptare. Edhe sot e kësaj dite populli flet për autoritetin e xhandarmërisë dhe qetësinë publike që ka patur në atë kohë.

 

Muharrem Bajraktari, Adjutant i Mbretit Zog, 1932-1934

Në vitin 1932, Muharrem Bajraktari bëhet Adjutant i Oborrit Mbretëror, duke u bërë kështu një nga njerëzit më të afërt të Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve. Gjatë kësaj kohe Muharrem Bajraktari krijoi një armiqësi të fortë me tre persona shumë afër Zogut: Musa Juka, ministër i brendshëm, Abdurrahman Krosi ose Lalë Krosi dhe Abdurrahman Dibra. Sipas Bajraktarit këta persona po ndikonin negativisht tek Zogu dhe megjithë përpjekjet e Muharremit për ta bindur Zogun që ti largonte këta tre persona, Zogu nuk pranoi dhe kështu Muharremi la detyrën dhe u largua drejt Jugosllavisë.

 

Revolta e zonës veriore e udhëhequr nga Muharrem Bajraktari

Pas prishjes me Zogun, Muharremi u largua në Jugosllavi. Më pas në janar të vitit 1935 ai rikthehet në vend dhe në bashkëpunim me Gjon Marka Gjonin nxit një "revoltë" kundër qeverisë së Tiranës. Mbreti Zog u plagos nga një atentat me bombë dhe u largua drejt Durrësit. Pallati mbretëror u dëmtua shumë. Pati shumë viktima nga përleshjet midis rebelëve dhe forcave qeveritare. Kryengritja që udhëhiqej nga Muharrem Bajraktari, filloi të përhapej në gjithë Shqipërinë e Veriut. Mbreti Zog urdhëroi mobilizimin e 4 batalioneve, garnizoni i Tiranës u zëvëndësua, u shpall gjendja e jashtëzakonshme në Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme si dhe u mbyll kufiri me Jugosllavinë. Shumë fshatarë i ishin bashkuar kryengritjes. Gjithashtu forcat rebele ishin forcuar nga dezertimet e shumta të ushtarëve që kishin ngritur krye dhe kishin vrarë 5 oficerë. Muharrem Bajraktari ishte në krye të rebelimit. Ai kryesonte një forcë prej 2000 vetësh,të mirë armatosur dhe të furnizuar me ushqim të mjaftueshem. Vetë qëndronte në një kullë të vjetër. Rebelët kishin marrë në dorë gjithë Veriun. Ata kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe veçanërisht të ministrit të brendshëm Musa Jukës, por jo largimin e Mbretit. Disa media të huaja shkruanin se gjoja Shqipëria e Veriut “paska deklaruar pavarësinë nga qeveria e Tiranës”! Lajmi ishte totalisht i pavërtetë dhe me qëllim dezinformues. Me 8 janar 1935,Muharremi u largua në Kosovë. Aty ai u çarmatos dhe u internua në Gjakovë nga qeveria e Jugosllavisë.

 

Muharrem Bajraktari gjatë viteve 1935-1939

Pas shtypjes së revoltës, Muharremi largohet drejt Jugosllavisë. Aty ai internohet në Gjakovë nga qeveria e Beogradit. Siç u pa Beogradi kërkonte t'a shfrytëzonte Bajraktarin për qëllimet e veta. Kështu qeveria jugosllave e nxjerr nga internimi dhe në Beograd i propozohet që të marrë drejtimin e shtetit shqiptar me ndihmën jugosllave. Kushtet e Beogradit ishin që mbrojtja, politika e jashtme dhe ekonomia shqiptare të ishin nën juridiksionin jugosllav. Muharremi jo vetëm që nuk i pranoi por edhe përfitoi nga rasti dhe u largua nga Jugollavia drejt Francës. Pak dihet se me çfarë u mor aty. U bashkua me disa organizata antizogiste ndër të cilat edhe "Bashkimi Kombëtar", por kur e pa se këto financoheshin nga shtetet e huaja dhe se kishin ideologji komuniste ai u largua prej tyre.
Më 7 prill 1939 Italia pushtoi në mënyrë arbitrare Shqipërinë. Menjëherë në mbarë vendin nisi rezistenca antikomuniste. Kështu pra Muharrem Bajraktari vendos të kthehet në atdhe për të ndihmuar rezistencën antifashiste të popullit shqiptar.

 

Muharrem Bajraktari gjatë Luftës së Dytë Botërore

Lufta e Dytë Botërore përbën etapën më të rëndësishme të jetës së Muharrem Bajraktarit. Gjatë kësaj periudhe 1940-1944 ai u bë lideri absolut i Lëvizjes Çlirimtare të Kukësit dhe Shqipërisë Verilindore. Ai luftoi kundër italianëve, gjermanëve dhe komunistëve. Bashkëpunoi me Abaz Kupin, Vëllezërit Kryeziu dhe me Ballin Kombëtar.

 

Muharrem Bajraktari kundër Italisë Fashiste 1940-1943

§                     1940: Muharrem Bajraktari u rikthye në Shqipëri në fillim të vitit 1940. Përpara se të nisej drejt Shqipërisë, ai u takua me Benito Mussolinin, liderin e atëhershëm të Italisë. Në takimin midis tyre, Mussolini i propozoi Bajraktarit të merrte postin e Ministrit të Brendshëm në qeverinë e Shefqet Verlacit. Bajraktari i tha se do të mendohej, por sapo u kthye në Shqipëri, i çoi fjalë Shefqet Verlacit ku i thoshte "se Muharrem Bajraktari ka dalë maleve të Shqipërisë duke luftuar për liri". Pikërisht në Gusht të 1940 fillon edhe veprimtaria e tij antifashiste gjë që dëshmohet edhe nga dokumentat e kuesturës italiane. Prefektura e Kosovës (Kukësit) i kërkon Ministrisë së Brendshme largimin e Muharrem Bajraktari nga kjo zonë për shkak të veprimtarisë së tij armiqësore.
§                     1941: Gjatë këtij viti intensifikohet lufta e Muharremit kundër pushtuesit fashist. Ai krijon një çetë vullnetare me disa dhjetra luftëtarë, kryesisht nga Kukësi të cilët kthehen në një shqetësim të madh për autoritetet italiane. Së bashku me Abaz Kupin dhe disa kolonelë anglezë ai organizon disa mbledhje në Lurë dhe Peshkopi lidhur me organizimin e një kryengritjeje. Organet italiane të alarmuara nga situata dërgojnë afro 2000 forca italiane dhe mercenare shqiptare në Kukës për të mbajtur nën kontroll situatën. Çeta e Muharrem Bajraktarit pati disa përplasje me këto forca ku mbetën të vrarë shumë ushtarë italianë por gjithashtu edhe disa luftëtarë të çetës.
§                     1942: Forcat mercenare vazhdojnë të qëndrojnë në Kukës. Muharrem Bajraktari ndodhet në arrati bashkë me çetën e tij. Megjithatë ai rikthehet disa herë në shtëpinë e tij në Ujmisht ku biles një herë rrethohet nga forcat italiane por arrin t'i shpëtojë rrethimit. Kryeministri i asaj kohe, Mustafa Kruja urdhëron arrestimin e menjëhershëm të Muharrem Bajraktarit si personi kryesor që udhëheq trazirat në Kukës, Has dhe Dibër. Ndërkohë gjithë prefekturës së Kosovës (Kukësit) i shkon thirrja se ai që strehon dhe mbron Muharrem Bajraktarin do të konsiderohet bashkëpunëtor i tij dhe do të ndëshkohet rëndë. Në shtator të 1942, Muharrem Bajraktari merr pjesë në Konferencën e Pezës si përfaqësues i Lumës (Kukësit) dhe Hasit.
§                     1943: Gjatë gjithë vitit 1943 Muharrem Bajraktari nuk rresht së luftuari pushtuesin italian. Kulmin e arriti në fillim të shtatorit kur me afro 1500 forca nën drejtimin e tij i shpall luftë garnizonit italian në Kukës. Ai dhe forcat e tij sulmojnë garnizonin i cili dorëzohet menjëherë. Ndërkohë në ato ditë Italia kapitullon.

 

Muharrem Bajraktari kundër Gjermanisë Naziste 1943-1944

§                     1943: Në Shqipëri hyjnë trupat e Gjermanisë Naziste. Menjëherë forcat e Bajraktarit i presin me luftë gjermanët të cilët gjithsesi arrijnë të marrin qytetin Kukësit e pastaj gjithë krahinën. Pas dështimit të Marrëveshjes së Mukjes, forcat nacionaliste organizojnë në shtator 1943 një mbledhje në Lurë ku si njëri prej organizatorëve kryesorë ishte edhe Muharrem Bajraktari. Aty u vendos të luftohej pushtuesi i ri dhe të arrihej me çdo kusht marrëveshja me PKSH.
§                     1944: Ky vit është viti i fundit për luftën në Shqipëri. Komunistët kishin fituar terren dhe kishin ardhur edhe në Kukës. Në fillim të gushtit forcat e Bajraktari përleshen me rreth 40 ushtarë gjermanë në Qafën e Kolesjanit. Kjo shërben si shkëndija e luftës midis Nacionalistëve dhe Gjermanëve. Forcat gjermane tërhiqen dhe zbresin në fushë, më saktë në fshatin Nangë ku kishin vendosur edhe një autoblind të pajisur me top dhe mitralozë. Forcat Nacionaliste të drejtuar nga Muharrem Bajraktari përqëndrohen në Bicaj (qendër historike e Lumës) ku dhe hartojnë planin e luftës. Ndërkohë forcat gjermane godasin vazhdimisht me top Bicajn. Luftimet ashpërsohen dhe gjermanët tërhiqen edhe më shumë kurse rreth 500 forca nacionaliste përqëndrohen tashmë në Gostil. Gjermanët mbyllen në Kukës duke mbrojtur rrugën Kukës-Prizren. Duke përfituar nga situata Muharrem Bajraktari organizon një mbledhje të krerëve të Lumës dhe Hasit e quajtur "Besëlidhja e Lumës". Aty u vendos luftë pa kompromis me pushtuesin dhe të ndalohej vëllavrasja e nxitur nga komunistët. Në fillim të shtatorit Brigada 5 e udhëhequr nga Shefqet Peçi sulmon forcat e Muharrem Bajraktarit. Sulmi fillon me një atentat që i bëhet Bajraktarit në Gostil nga komunistët. Menjëherë Bajraktari shpërndan forcat e tij dhe me një grup besnikësh del në mal.

 

Muharrem Bajraktari kundër Partisë Komuniste Shqiptare 1944-1946

Lufta e Muharrem Bajraktarit kundër PKSH u karakterizua gjithmonë nga përplasje të egra të armatosura ku pati të vrarë nga të dyja palët. Bajraktari u konfrontua me forcat speciale të ndjekjes në Shëmri, Kalimash, Buzëmadhe, Bushtricë, Kalis dhe Ujmisht. Në këto luftime i vdiqën edhe dy djemtë e tij Hamdi dhe Ibrahim Bajraktari. Në vitin 1945 bëhet anëtar i Lidhjes së Maleve, një organizatë antikomuniste që udhëhiqej nga Mark Gjon Marku. Në shtator të vitit 1946 së bashku me 55 persona të tjerë, të gjithë nacionalistë të kërkuar nga organet shqiptare dhe jugosllave, Bajraktari largohet në Greqi. Gjatë rrugës për në Greqi mbetën të vrarë 21 persona. Djali i tij Bajrami plagoset dhe kapet nga organet jugosllave. Këtu merr fund edhe odiseja e gjatë e Muharrem Bajraktarit nëpër malet e Shqipërisë.

 

Jeta ne mergim dhe vdekja e tij

Në vitin 1946,i rraskapitur nga luftimet me Forcat e Ndjekjes ai largohet drejt Jugosllavisë e më pas në Greqi. Nga Greqia largohet në Itali dhe më pas në vitin 1953 në Belgjikë aty ku edhe mbylli jetën. Gjatë gjithë periudhës në mërgim ai kurrë nuk reshti së punuari për të mirën e kombit shqiptar, për vendosjen e një sistemi demokratik dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Ai u bë anëtar i kryesisë së organizatës "Shqipëria e Lirë" e udhëhequr nga Mit'hat Frashëri dhe që ishte organizata më e fuqishme e antikomuniste e diasporës shqiptare. Më 21 Janar 1989,Muharrem Bajraktari vdiq në Bruksel, Belgjikë. Varrimi ju bë më 25 Janar 1989. Mbi 600 shqiptare të ardhur nga diaspora ishin mbledhur për t'a nderuar dhe dhënë lamtumirën e fundit këtij pishtari të nacionalizmit shqiptar. Mbi 50 parti politike dhe figura patriotike dhe shkencore të diasporës vunë kurora mbi varrin e tij. Edhe qeveria belge i bëri të tëra nderimet e mundshme që mund t'i bëhen burrave të shtetit. Gjithashtu shumë gazeta dhe radio, si ajo e Belgjikës, Francës, Anglisë dhe "Zëri i Amerikës" i bënë jehonë vdekjes së tij dhe folën mbi jetën dhe veprimtarinë e tij nacionaliste.

 

Çfarë kanë shkruar dhe çfarë kanë thënë të tjerët për të

§                     Uran Butka:"Ndër miliarda njerëz që vijnë e shkojnë,të paktë janë ata që bëjnë epokë dhe lënë emër në historinë e kombit të vet.Një i tillë është edhe Muharrem Bajraktari".
§                     Moisi Mirakaj"Nuk ka njeri,plak e të ri që nuk e njeh Bajraktarin e Lumës,trimëria,patriotizmi,besnikëria dhe mençuria e të cilit i ka kaluar kufinjtë e trevës së vet.I njohur në mbarë kombin tonë gjer në diasporë si luftëtar i çështjes kombëtare dhe i Shqipërisë Etnike,Muharrem Bajraktari është i pavdekshëm".
§                     Në letrën që Edith Durhami,zonjë e shquar angleze,mbrojtëse e flaktë e çështjes shqiptare i shkruan Ministrit të Jashtëm të Anglisë më 30 Korrik 1943,ndër të tjera shkruan:"Shqipëria po lufton për liri.Në verilindje udhëheqësi më i shquar është kolonel Muharrem Bajraktari,ish komandant xhandarmërie i Shqipërisë".
§                     Një burrë shteti si Xhulian Emeri (Julian Amery),në veprën e tij "Bijtë e Shqipes" ka krahasuar Muharrem Bajraktarin me Perandorin gjerman,Vilhelmi II.
§                     Reginald Hibbert,autor i librit "Fitorja e Hidhur" që flet mbi Luftën II Botërore në Shqipëri shkruan:"Nuk pati njeri tjetër në gjithë Shqipërinë Verilindore,në veri të Peshkopisë e të Dibrës që ti mbante premtimet më mirë se Muharrem Bajraktari.Politika që ai mendonte se do të vlente,ishte një politikë e drejtpërdrejtë antisllave,antiserbe,antikomuniste".

 

Nderimet që i janë bërë

Gjatë periudhës së Zogut për punën e madhe në shërbim të Atdheut ai u dekorua me dekoratat më të larta të kombit:
§                     Urdhri i Skënderbeut,
§                     Urdhri i Besës
§                     Medalja e Artë e Trimërisë.
§                     Në vitin 1994 me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij,Sali Berisha asokohe President i Republikës e nderoi Muharrem Bajraktarin për punën e tij në ngritjen dhe forcimin e Xhandarmërisë Shqiptare dhe për luftën e tij antikomuniste dhe antifashiste.
§                     Me rastin e 97 vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura,Ministri Arben Imami dekoroi 12 personalitete të shquara të Kombit tonë.Mes tyre ishte edhe Muharrem Bajraktari të cilit iu dha medalja "Për shërbime të shquara" me motivacion:"Për merita të shquara në ngritjen e Xhandarmërisë Ushtarake Shqiptare dhe të formacioneve luftarake nacionaliste për qëndresë kundër pushtuesve fashistë".

 

Familja

Muharremi kishte një vëlla,Bajramin dhe një motër Haven.Nëna e tij Kadimja,u kujdes shumë që Muharremi të rritej i shëndetshëm dhe i zgjuar.Në vitin 1914,Muharrem Bajraktari martohet me vajzën e Sahit Nikës nga Surroj,familje kjo e njohur për traditat patriotike.Nazifja,bashkëshortja e Muharremit rriti dhe edukoi me mjaft kujdes 4 djem:Ibrahimin,Hamdiun,Esatin dhe Gencin,si dhe 2 vajza:Dijen dhe Lirien.Ibrahimi u internua në Ballsh nga pushtuesit fashistë për shkak të luftës së Muharremit kundër tyre.Më pas në luftë kundër komunistëve Ibrahimi dhe Hamdiu ranë dëshmorë të demokracisë.Bajrami,i vëllau,ju pushkatua nga komunistët,pasi vuajti në burgjet e Maqedonisë dhe Shqipërisë.Muharremi kaloi si emigrant politik së bashku me djalin e tij Esatin.Për disa kohë jetoi në Greqi dhe Francë.Pastaj kaloi në Belgjikë tek motra e tij,Hava.Aty jetoi deri në fund të jetës së tij.Esati shkoi të jetonte në Amerikë.Kurse Genci qëndroi në Shqipëri së bashku me pjesën tjetër të familjes,i persekutuar nga regjimi komunist.

 

Referenca

§                     Portrete Nacionalistësh,Halit Vata
§                     Ringjallje,Uran Butka
§                     Muharrem Bajraktari në kujtimet e mia,Neshat Bilali

No comments:

Post a Comment